Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve të njëra tjetrës dhe heqjen plotësisht të regjimit të letërngjitësve.
Përmes një deklarate, shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell e ka vlerësuar vendimin si një hap pozitiv të marrëveshjes për normnalizimin e marrëdhënieve.
“Ky vendim dëshmon se përparimi në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe vë në pah rëndësinë e vazhdimit të punës brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Po ashtu përbën hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit”, tha shefi i politikës së jashtme, Josep Borrell.
Vendimi u mor fillimisht nga pala serbe dhe hyri në fuqi në 1 janar. Pas kësaj edhe qeveria e Kosovës bëri të njëjtën ndërsa kryeministri Kurt ka thënë se po ndjek me kujdes zbatueshmërinë nga pala serbe.
Në ditët e para të muajit automjetet qarkulluan normalisht në të dy shtetet, ndërsa në dy dtët e fundit janë krijuar rradhë të gjata të automjeteve që dalin nga Kosova në drejtim të Serbisë.
Kjo sidomos në pikën kufitarë të Merdarës dhe Gurit të Bardhë ku rradha shkon deri në 1 kilometër.
Për automjetet që futen nga kosova në Serbi nuk ka patur vonesa./vizionplus.tv