Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) janë duke punuar për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në Bashkim Evropian (BE), në mënyrë që në mesin e kushteve detyruese ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo.
“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare“, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të martën në një konferencë për shtyp në Bruksel.
Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha muajin e kaluar se vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën.
Që nga viti 2011, BE-ja e ndërmjetëson dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky proces mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara.
Vitin e kaluar, palët arritën Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksin për zbatimin e saj. Pavarësisht trysnisë ndërkombëtare që palët të zbatojnë marrëveshjen, blloku evropian ka thënë se ajo nuk po zbatohet.
Pikërisht përfshirja e detyrimit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në kornizën e bisedimeve për anëtarësim në BE ishte përmendur nga zyrtarët e lartë të bllokut si mënyrë që marrëveshja e arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe më pas më 18 mars në Ohër, aneksi për zbatimin e saj, të bëhen “ligjërisht të detyrueshme”.
BE insiston se, sipas Konventës së Vjenës, edhe marrëveshjet që janë rezultat i pajtimit e që nuk janë nënshkruar kanë fuqinë e obligimit ligjorë për palët. Dhe kjo, sipas BE-së, vlen edhe për Marrëveshjen e vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve.
Ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“De facto ose de jure. Kjo po kërkohet. Le të mos gënjejmë për këtë gjë. Fuqia më e madhe, Bashkimi Evropian po e kërkon këtë”, tha Vuçiç për televizionin Pink më 7 janar./REL/