Tre të rinj shqiptarë, Klodian Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi u dhunuan barbarisht mesditën e të shtunës në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit.
Disa persona, të veshur me rroba ushtarake ushtruan dhunë barbare ndaj shqiptarëve, për arsye që ende nuk dihen.
Ndërkohë që sot janë zbardhur emrat e 3 prej 5 të arrestuarve në Malin e Zi, për dhunën ndaj shqiptarëve.
Sipas Policisë malazeze të arrestuarit janë Branko Vuksanović, Sergej Dević si dhe Kosto Dunđerovic.
Të gjithë këta persona janë me vendbanim në Zelenika, pikërisht në lagjen ku edhe ndodhi ngjarja. Ata kanë qenë me veshje gjuetie.
Shqiptarët ishin duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga 7 persona të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht të rinjtë , duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.
Të dhunuarit u paraqitën më pas në policinë lokale për ndihmë dhe janë trajtuar fillimisht nga ana e mjekut ligjor, ku janë konstatuar dëmtimet e rënda në trupat e tyre.
Policia malazeze u kërkoi atyre të bënin denoncim, por të frikësuar, ata nuk kanë pranuar të bëjnë një gjë të tillë, deri në mbërritjen e një avokati shqiptar.
Një prej të rinjve që ishte viktimë e dhunës, Klodian Meaj tha se në makinën me të cilën udhëtonin të rinjtë ka pasur një flamur shqiptar, më konkretisht në pasqyrën e mjetit.
Sipas tij kjo mund të jetë bërë arsyeja pse të rinjtë janë dhunuar nga grupi i dyshuar serb./vizionplus.tv